Trebeshina: Enver Hoxha, pederast pasiv e dashnor plakash

Diskutoni ketu rreth LAJMEVE
Lea

Trebeshina: Enver Hoxha, pederast pasiv e dashnor plakash

Ungelesener Beitragvon Lea » Mo 9. Apr 2012, 01:31

Trebeshina: Enver Hoxha, pederast pasiv e dashnor plakash

TIRANE-Kasëm Trebeshina është një shkrimtar që nuk bën kompromise me veten për hir të botimit apo të reklamimit që t'i shiten shumë kopje. E pikërisht për të na e treguar qartë këtë fakt, veprën "Dafina të thara Romani i jetës sime", ai e ka botuar në italisht dhe është një tekst që nuk gjendet në gjuhën shqipe.

Për herë të parë Trebeshina publikoi në 2007 në Itali romanin me kujtime të tij, "Dafina të thara" me titullin "Allori Seçhi" me përkthim të Edmond Çalit, një shkrimtar dhe poet, që nuk njihet dhe aq shumë në Shqipëri, i cili një vit më parë, po në shtëpinë botuese italiane "Aracne", pati botuar një intervistë të gjatë me Kasëm Trebeshinën. Sigurisht që të vjen keq që një vepër të tillë, shqiptarët nuk e lexojnë në origjinal, por vetëm në gjuhën italiane.

Por, për të sjellë diçka nga atmosfera e këtij romani, "Gazeta Shqiptare" publikon, duke u nisur që nga sot, pjesë nga kjo vepër që nuk njihet fare në gjuhën shqipe. Kjo jo vetëm për t'i treguar lexuesit që e do letërsinë e Trebeshinës, se veprat e tij që gjenden ende në dorëshkrim janë një realitet dhe jo fantazi e tij, siç përpiqen të reklamojnë ata që quhen anti-Trebeshinë. Romani, siç thotë dhe Edmond Çali në hyrjen e tij, përfshin një periudhë që nga 1926 deri në 1955, të shkruara gjatë kohës së komunizmit dhe përfunduar pikërisht në 1988. Ata që e njohin gjuhën italiane do ta shijojnë romanin e Trebeshinës, sigurisht dëshirë është që romani të jetë edhe në shqip, por siç edhe përmendëm në fillim, shkrimtari nuk bën asnjë kompromis. Trebeshina tregon në libër rrënjët e tij turke, por tregon dëshirën e madhe dhe idealet e një të riu për t'i shërbyer Atdheut, dhe atdheu për të është vetëm Shqipëria. Në këtë numër sjellim një përkufizim që Trebeshina bën për shqiptarët, që gjatë viteve ata kanë vrarë njëri-tjetrin, e duke qenë se janë vrarë njerëzit më me vlera dhe me kalimin e kohës fituan vetëm mashtruesit. Për të vërtetuar këtë që ai thotë, Trebeshina merret me figurën e Enver Hoxhës dhe komunistëve të tjerë që lanë disa komunistë mediokër, mashtrues dhe antishqiptarë, si Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, të drejtonin këtë vend.
Djali i Vinokashit
Kapitulli i parë
Plagë dhe lule
Ishte një mëngjes pranveror plot diell e pemët po lulëzonin. Për më së shumë se dy javë kisha mbetur në këtë xhami të çuditshme, e kthyer në spital partizan, ku u shtrova për shkak të etheve që më shkaktuan plagët dhe prej një hemorragjie shumë të rëndë.
Plagët nuk i kisha shumë të rënda. Ata, me shpërthimet e tyre ata, më patën goditur vetëm dy herë e pikërisht në krah, në bërryl, por kisha qenë me fat pasi pata mundësinë të përdorja duart për të luftuar deri në pikën që pata thyer rrethimin e armiqve dhe të dilja gjallë që aty. Por, teksa ndiqesha nga armiqtë duke kaluar nëpër zonat e zjarrit, mbërrita në spital tre ditë pasi isha plagosur. Aty më shtroi mjeku italian Vittorio Bruschi dhe nga infermierja Zybra Radhima.
Isha vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç.
- S'ka asnjë shpresë që të mbijetojë! - pati folur në italisht mjeku Bruschi.
- Është shumë i ri, doktor! - pati ndërhyrë në italisht infermierja.
- Do të bëjmë ç'është e mundur, por shpresat janë të pakta! - iu pat përgjigjur doktori.
Shtratin ma shtruan përtokë; fjeta menjëherë. Kur u zgjova në dhjetë të darkës pashë që pranë krevatit, në një stol druri qëndronte infermierja. Lexonte një libër në italisht.
- Po lexon "Quo Vadis"? - i thashë.
Ajo bërtiti: - O Zot!... E di italishten?!...
I thashë: - Pak!...
E ajo ma ktheu menjëherë: - Nuk është e vërtetë!... Doktori bëri shaka!... Ti do jetosh gjatë e do jesh i lumtur!...
Dhe unë: - A të kujtohet ajo që tha doktori kur erdha këtu?!... S'ka asnjë rëndësi!...
Po ajo nguli këmbë: - Po, po!...Do jetosh!
Mëngjesin tjetër më operuan dhe unë me të vërtetë që jetova. Pas dy javësh u ndjeva mjaft mirë dhe i thashë doktorit që kisha vendosur të largohesha.
Doktor Bruschi më tha i mrekulluar: - Po plagët e tua ende s'janë shëruar!...
Iu përgjigja i vendosur: - Nuk ka rëndësi!...
Nuk e di se çfarë më detyroi të lija spitalin!... Ndoshta lulet e majit... apo dëshira për të shkuar në shtëpi, apo dëshira për të ndryshuar horizontet!...
Në spitalin partizan hyra më 18 prill 1944 dhe ika që aty më 3 maj 1944. Kisha qëndruar aty për dy javë, që nuk dinin të mbaronin. Më kishin rrethuar dhe plagosur më 16 prill 1944!...
Shtigjet në ngjitje të maleve ishin të lodhshëm, por lulet dhe valët e gjelbërta të gjetheve, qielli blu i pastër më bënin të ikja me vrap. E kështu ëndërrova ëndrrën më të lumtur që mundja... Ndoshta familja ishte qetësuar disi sepse një mik i joni kishte dërguar një korrier në spital dhe kishte njoftuar nga unë se isha gjallë.
Ecja me hap të shpejtë edhe pse plagët ende i kisha të hapura dhe pse s'e komandoja dot krahun e djathtë. Doja të mbërrija sa më shpejt të jetë e mundur në Komandën e Grupit në fshatin Drizar. Ishte një ngut i pashpjegueshëm, por në të vërtetë kisha një nostalgji për shkuar diku, të shihja dikë. Imazhet e nënës më shoqëronin gjithnjë dhe ato përziheshin me mendimet e mia.
Atje, në atë rrethim të mallkuar ne ishim tre vetë kundër rreth pesëqind burrash dhe një togë gjermane. Njëri prej nesh u vra e tjetri u konsiderua i zhdukur. Unë mbeta aty deri sa qëllova dhe plumbin e fundit. Tani mbaja me vete armët e partizanit të vrarë, por ato tre orë rrugë s'ishin asgjë në krahasim me atë dëshirë të djegur të diçkaje që nuk e dija. Më në fund mbërrita në fshatin ku ishte vendosur Komandoja e Grupit. Në këmbët e një kodrine plot gurë takova disa partizanë që po diskutonin për mitralozët anglezë. Teksa më panë e ndërprenë diskutimin dhe erdhën drejt meje duke thirrur; u takuam, u përqafuam dhe më mbytën me pyetje.
I kënaqa me aq sa munda dhe në fund iu bashkova debatit të tyre. Ia tregova se mitralozët anglezë qëllonin objektivin. Më pas shkuam në Komandën e Grupit ku i dorëzova armët vëllait të të vrarit, të cilat ia kisha hequr të vdekurit atje në fushën e betejës.
Pasi mbaroi ceremonia zyrtare, një nga Komisarët e Batalionit të Grupit më tha se më duhej të shkoja në Këlcyrë, pasi isha transferuar në zonën e Mallakastrës.
-Po, - shtoi ai, - duke qenë se nuk je shëruar ende, mos shko menjëherë. Kthehu në spital, shëroju mirë e më pas hajde na tako atje...Edhe unë jam transferuar në atë zonë.
Ky njoftim më lehtësoi dhe i thashë menjëherë:
- Jo!... Do nisem!... Ndjehem mirë!
Në të vërtetë transferimi ishte një gjë e mirë për mua. Kisha ardhur në këtë zonë kisha ardhur me plot ëndrra... Doja t'i shërbeja Atdheut...
E para, s'kisha qenë asnjëherë në atë zonë... Dhe të them të vërtetën, që nga larg më dukej që kjo Mallakastër ndoshta ishte një vend zanash!...
Për atë Zot! Që nga larg të gjitha gjërat kanë poezinë e tyre, kur u afrohesh, të gjitha gjërat ndryshojnë imazh dhe...
U kisha dhënë diçka atyre burrave e ndoshta ato më kishin kthyer këtë diçka!... Dy herë isha promovuar në nivelin e Komisarit të Batalionit dhe dy herë më patën shkarkuar... Ndoshta ata kishin të drejtë: S'isha shumë i përshtatshëm për organizimin komunist!... Në fund e provuan edhe njëherë dhe më bënë anëtar i Komitetit Rajonal të Organizatës së të Rinjve të Vlorës. Më pas ndodhi rrethimi, plagët dhe spitali.
Gjendesha sërish në udhëkryq: Ku po shkoja?!...
Gjithsesi tani kisha mundësinë të shihja nënën, babanë, tezen!...
Të nesërmen më dhanë një kalë dhe ne, batalioni partizan, u nisëm drejt së ardhmes në atë luftë civile të çuditshme!
Kapitulli dhjetë
Komunistët
...Në atë kohë nuk kisha mbushur ende trembëdhjetë vjeç e kjo tregon qartë se nuk jam në gjendje të tregoj me saktësi e të shpjegoj arrestimet e komunistëve në vitin 1939. Nga ajo çfarë më kanë thënë, nga ajo çfarë thuhet dhe nga ajo që është e qartë, qeveria e Zogut, arrestimet i bëri për të fituar simpatinë e fashizmit italian... Ose për t'u mbrojtur nga ndonjë sulm i papritur nga brenda. Kushedi!
Sipas mendimit të atyre që u arrestuan ngjarjet ndodhën kështu: Listat me emrat e komunistëve, të gjithë të Grupit të Shkodrës, apo të njerëzve të lidhur me këtë grup, u dërguan në Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë në shtator të 1938. Policia kishte agjentë mes radhëve të komunistëve të të gjithë grupeve, dhe ajo që është më e çuditshme, Enver Hoxha, i mbajti afër këto agjentë deri në fund.
Thuhej se forcat e Xhandarmerisë kishin thirrur Sami Bahollin, që e kishin kërcënuar nëse nuk do të ndihmonte në zbulimin e komunistëve shqiptarë. A është e mundur që ky person të tregonte gjithçka çfarë dinte? Në një mënyrë a në një tjetër forcat e xhandarmërisë mblodhën aq material sa për t'i dhënë një goditje të fuqishme Lëvizjes Komuniste Shqiptare. Nëse nuk gabohem Zef Mala u dënua me dymbëdhjetë vjet burg, Vasil Shanto e Tuk Jakova me gjashtë ndërsa Qemal Stafa u dënua me vetëm tre vjet. Për më tepër Qemali jo vetëm që u mbajt në Burgun e vjetër të Tiranës, po iu dha leja për të shkuar në shtëpi kur i vdiq i vëllai, Veli Stafa. Të dënuarit e tjerë u dërguan në Berat me punë të detyruar. Qemali ishte një i ri i talentuar dhe liberal dhe nuk ka nevojë për spekulime dhe gënjeshtra të mëdha nga ana e atyre që ndihmuan armiqtë e tij që ta vrisnin, nuk ka nevojë për zbulime të atyre që për vite e vite talleshin me njerëzit, duke e përkujtuar rregullisht këtë figurë. Edhe në varreza pikërisht këta komunistë vendosën para tij një farë Gogo Nushi dhe një farë Hysni Kapo!
Kapitulli i dymbëdhjetë
Drejtuesit komunistë
...Gjatë gjithë vitit shkollor Qemal Stafa ishte në Itali me bursë në fakultetin e jurisprudencës. Qemali ishte gjysëm student e gjysëm politik, dy gjysma që nuk plotësuan kurrë një të plotë. Vasil Shanto, që për një periudhë kohe në kohën e mbretit Zog, thuhej se kishte mbajtur kontakte me konsullatën jugosllave, në të vërtetë vazhdonte aktivitetin komunist kryesisht në Tiranë, por nuk ishte një njeri me kulturë, mbështetës i një doktrine pa doktrinë dhe me këtë farë bagazhi në një garë të tillë, humbja dhe shkatërrimi ishin të pashmangshëm. Drejtuesit e tjerë ishin të të njëjtës prerje dhe të paaftë të drejtonin një parti. Kontaktet me Zef Malën bëheshin gjithnjë e më të pakta. Direktivat nga burgu vinin me shumë vonesë. Nga ana tjetër, Koço Tashko ishte një dhelpër e vjetër dhe tashmë kishte gjetur një ndihmës perfekt për planet e tij. Ky njeri ishte Enver Hoxha, një individ i dyshimtë që ishte dërguar në Francë për të studiuar, por që kishte preferuar më tepër argëtimin se sa studimin, që kalonte kohën duke bërë rolin e pederastit pasiv nganjëherë, e herë tjetër dashnor i plakave për para, e herë duke vjedhur ndonjë gjë miqve të tij. Përfundimisht i mbylli studimet dhe Musa Juka, ministri i Brendshëm i mbretit Zog, si një baba i emëroi në postin e të besuarit në ambasadën shqiptare të Brukselit. Ndoshta misioni i tij ishte të ndiqte lëvizjet e emigrantëve politikë shqiptarë. Sigurisht, ishte personi që i duhej Musa Jukës sepse Bahri Omari, një nga emigrantët kryesorë politikë të asaj kohe, ishte martuar me motrën e Enver Hoxhës. Më pas, ky gjysëm profesor në mënyrë të çuditshme u dërgua si mësues në Liceun e Korçës, ku shumë shpejt vendosi lidhjet miqësore me familjen e Koço Tashkos. Koço Tashko e vlerësoi si një person të zgjuar e të aftë dhe e futi menjëherë në punë kundër partisë e kundër Zef Malës. Por, Koço Tashko i mbivlerësonte aftësitë e veta personale, konsiderohej mjaft i mirë dhe duke nënvlerësuar shkathtësinë e Enver Hoxhës, siç e tregoi koha, gaboi në mënyrë tragjike, dështoi në projektet e veta dhe e pagoi shtrenjtë këtë gabim. Duke u zvarritur me kujdes dhe në heshtje drejt fronit, ndoshta duke i paguar shuma të mëdha parash Koço Tashkos, përmes Esad Dëshnicës, nga portofoli i Ibrahim Biçakut, Enver Hoxha priste momentin e duhur për hapin vendimtar...
Kapitulli i katërmbëdhjetë
Shkëmbimi tragjik
...Në këtë kohë në Shqipëri gjërat shkonin krejt ndryshe. "Bar Flora" po i jepte djalit atë që priste dhe me ndihmën e emigrantëve politikë të kthyer në Shqipëri nga Jugosllavia, po përgatitej një dredhi e madhe. Në atë kohë në Peqin, qytet i Shqipërisë së mesme, gjendeshin në internim dy komunistë jugosllavë: Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Krerët e komunistëve organizuan arratisjen e tyre. Mustafa Gjinishi e realizoi këtë aksion dhe Miladini dhe Dushani ishin të lirë...
Ata, njerëzit e "Bar Flora", gjatë mungesës së Zef Malës, kishin gërmuar një tunel të thellë nën Lëvizjen Komuniste Shqiptare e tani, të mbështetur nga Miladin Popoviç dhe nga Dushan Mugosha, duke përfituar dhe nga naiviteti, entuziazmi dhe nga mungesa e eksperiencës të Qemal Stafës dhe Vasil Shantos, nga prapambetja jonë e madhe politike, ia imponuan kapitullimin Partisë Komuniste dhe përgatitën terrenin për formimin e një partie leninisto-staliniste. Formalisht u deklarua që kjo parti terroriste u formua në nëntor të 1941. Dihet mirë edhe data. Baballarët e këtij Tempulli të Ri Fetar të Kominternit ishin Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, dy antishqiptarë të bindur dhe antisocialistë...Të gjithë drejtuesit kryesorë që vinin nga Grupi Komunist i Shkodrës u vranë në një mënyrë që lë shumë dyshime. Mustafa Gjinishi, Mynyr Xhindi e shumë të tjerë u vranë më pas...si është e mundur që Qemali dhe Vasili i kthyen krahët drejtuesit të tyre, shokut, mikut të tyre (Zef Malës)? E dyta: Si ndodhi që Shqipëria e Lashtë e Shkëmbore u gjen në një situatë të tillë që çelësat e saj ishin në duart e Qemalit, të Vasilit dhe të tjerëve të kësaj stature? Një përgjigje e thjeshtë është e mjaftueshme për të dyja pyetjet që u bënë.
Shqiptarët gjatë tre mijë vitesh, në vorbullën e pushtimeve të vazhdueshme, patën humbur dinjitetin e tyre dhe patën filluar të vriteshin me njëri-tjetrin në prita. Brez pas brezi u vranë njerëzit më guximtarë të racës, dhe me kalimin e kohës, triumfuan vrasësit imoralë dhe gënjeshtarët. Kjo ishte arsyeja se pse një popull i tillë nuk ishte i aftë të nxirrte në dritë një klasë drejtuesish me vlera me drejtues që ia vlejnë. Është një shkretim për shqiptarët që janë krenarë me heronj të tillë si Skënderbeu, Ali Tepelena dhe shumë të tjerë! Kjo krenari e kjo mendjemadhësi janë pasoja direkte e kompleksit të inferioritetit. Vetëm popujt që vuajnë kompleksin e inferioritetit mund të shkaktojnë një masakër të tillë në atdheun e tyre. Vetëm njerëz si ata, që digjeshin nga dëshira që të njiheshin nga Kominterni, mund të pranonin Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën si Baballarët e Shenjtë dhe mund t'i shndërronin në padronë të shumëpushtetshëm në shtëpinë e tyre. Kjo është përgjigja e pyetjeve që bëmë e këto ishin kushtet në të cilat politikanë mediokër nga Jugosllavia si Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, morën në duart e tyre çelësat e Shqipërisë. Që nga ajo kohë drejtuesit komunistë, ata që bënë atë pakt të tmerrshëm, bënë garë për të fituar simpatinë e Miladin Popoviçit. E kjo është e gjithë historia, një histori që vazhdon edhe sot me krime monstruoze dhe absurde.


(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Zurück zu „Lajme nga Vendi dhe Rajoni.“



Wer ist online?

Mitglieder in diesem Forum: 0 Mitglieder und 1 Gast